RTSH 24 Live

Kosovë

Takimi me Borrell, Kurti: S’kam vendosur ende, pres raportin për 3 policët

19/06/2023

 Takimi me Borrell, Kurti: S’kam vendosur ende, pres raportin për 3 policët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka ende një përgjigje nëse do të marrë pjesë në takim thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në Bruksel.

Kurti tha se fillimisht do që të presë vizitën e Jetish Jasharit, ambasadorit të Kosovës në Serbi, në burgun e Kralevës, ku po mbahen tre policët e Kosovës të rrëmbyer në afërsi të kufirit në veri nga Policia e Serbisë. Bazuar në atë raport, ai tha se do të vendosë se do të shkojë në takimin e Brukselit apo jo.

Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng, po mbahen rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”, tha kryeministri Kurti pasi mori pjesë në akademinë solemne me rastin e  70-vjetorit të  themelimit të Institutit Albanologjik.

Sa i përket situatës në veri, ai tha se për shkak se atje ka grupe kriminale, ka ofruar që republika e Kosovës, gradualisht ta zvogëlojë numrin e policëve atje, por me sundimin e ligjit, që të përballen me drejtësinë ata kriminelë që sulmuan edhe ushtarët e KFOR-it, Policët e Kosovës dhe gazetarët.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e ardhshme në Bruksel, në një takim për menaxhimin e situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takim me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel.

/rtsh.al/