RTSH 24 Live

Rajon

Situata në veri/ Borrell fton në takim Kurtin dhe Vuçiç javën e ardhshme në Bruksel

15/06/2023

Situata në veri/ Borrell fton në takim Kurtin dhe Vuçiç javën e ardhshme në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka bërë të ditur se do t’i ftojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e ardhshme në Bruksel, në një takim për menaxhimin e situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Për Borrel, situata është përkeqësuar dhe se aktualisht sipas tij gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave ndaj ai do t’i ftojë palët në një takim urgjent.

Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.

Teksa e ka konsideruar arrestim rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, Borrel thotë se "jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim"

 “E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”.

Borrell i ka bërë këtë deklaratë në prag të një takimi me ministra të NATO-s.

Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare. Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, kanë hyrë në ndërtesat komunale.Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Serbia po vazhdon t’i mbajë tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer.

/rtsh.al/