RTSH 24 Live

Rajon

Autoritetet serbe arrestojnë 11 persona për prishjen e stacionit hekurudhor

21/11/2024

Autoritetet serbe arrestojnë 11 persona për prishjen e stacionit hekurudhor

11 persona janë arrestuar në Serbi në lidhje me shembjen e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sad ku humbën jetën 15 persona dhe u lënduan dy të tjerë.  Ndaj të dyshuarve, janë ngritur akuza të kryerjes së akteve kriminale kundër sigurisë publike.

Mediat serbe raportuan se mes të ndaluarve, emrat e të cilëve nuk janë bërë zyrtarisht publikë, është edhe Goran Vesic, ish ministër I ndërtimit I cili dha dorëheqjen pas incidentit.  Arrestimet u kryen pas një sërë protestash në tragjedi, ku u kërkua nxjerrjen para drejtësisë dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për incidentin.  

Qytetarët e vendit gjerësisht besojnë se shembja e strehës së stacionit hekurudhor ishte si pasojë e korrupsionit dhe mungesës së transparencës që çoi në punime të pakujdesshme në rinovimin e ndërtesës së stacionit.

Për të tretën ditë radhazi, ligjvënësit e opozitës dhe protestues të tjerë u përleshën me policinë para ndërtesës së gjykatës së Novi Sad, duke kërkuar drejtësi si dhe lirimin e aktivistëve që u arrestuan gjatë mitingjeve të mbajtura më parë.

Ndërtesa e stacionit hekurudhor të Novi Sad u ndërtua në vitin 1964. Gjatë viteve të fundit, është rinovuar dy herë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë infrastrukturore me kompanitë shtetërore kineze.

Streha e stacionit u shemb në datën 1 nëntor, duke rënë sipër personave që ndodheshin nën të. Fillimisht humbën jetën katër persona dhe u lënduan rëndë tre të tjerë, por njëri prej tyre ndërroi jetë të dielën që lamë pas.

/RTSH/