RTSH 24 Live

Aktualitet

Kriminaliteti tek të miturit, çdo vit 800 minorenë përfshihen në krime të ndryshme

5 orë para

Kriminaliteti tek të miturit, çdo vit 800 minorenë përfshihen në krime të ndryshme

Rreth 800 të mitur deri në moshën 18 vjeç përfshihen çdo vit në vjedhje, trafikim, shpërndarje të drogës, drejtimin e automjeteve pa leje, kanosjet, rrahjet e deri tek përdorimi i armëve.

Të dhënat e marra nga Policia e Shtetit saktësojnë se dokumentimi i përfshirjes së tyre në vepra të ndryshme penale i çon ata në dyert e komisariateve e gjykatave, por ka edhe raste të rënda, ku ata kryejnë akte, të cilat çojnë në humbjen e jetës së bashkëmoshatarëve të tyre.

Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, në vend janë regjistruar më shumë se 3 raste ekstreme, ku të miturit kanë përdorur armët e ftohta apo mjete të tjera, duke sjellë pasoja të rënda.

Në nëntor të vitit 2023, u vra në Gramsh Fatjon B., 15 vjeç, i cili ishte nxënës i klasës së 9-të u godit me thikë në zemër, pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushëririt të tij dhe disa bashkëmoshatarëve.

Në mars të këtij viti, u vra Aureljo D., 18-vjeç, pas një sherri mes dy grupe të rinjsh në zonën e Shkozës në kryeqytet.

Më 18 nëntor, u vra në derën e shkollës “Fan Noli” Martin C. 14 vjeç, pas debateve që kishin lindur në mjediset e shkollës.

Shtatë vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar “Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit”, i cili synon të mbrojë të drejtat e të miturit në konflikt me ligjin si dhe të promovojë riintegrimin e tyre.

Por kjo duket se nuk ka ndikuar, duke qenë se vetë Ministria e Arsimit ka deklaruar më herët se gjatë vitit shkollor 2023–2024 janë shënuar 700 konflikte më pak se një vit më parë në institucionet arsimore në vend. 

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/