RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari, qytetarët marshim drejt Ministrisë së Arsimit

3 orë para

Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari, qytetarët marshim drejt Ministrisë së Arsimit

Prindër dhe qytetarë mbajtën të enjten një marshim sensibilizues për vrasjen e një 14-vjeçari nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli”.

Me banderolën “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, qytetarët e nisën marshimin nga shkolla “Fan Noli” drejt ambienteve të Ministrisë së Arsimit duke kërkuar më shumë siguri.

"Një kambanë alarmi" e ka konsideruar gazetarja Esmeralda Keta rastin, ndërsa bëri thirrje për më shumë ndërgjegjësim jo vetëm nga ana e institucioneve, por e gjithë shoqërisë.

“Kjo është një kambanë e madhe alarmi. Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë, jo vetëm institucionet, por edhe prindërit dhe e gjithë shoqëria. Ngjarje të tilla vazhdojmë të raportojmë por nuk reagojmë, them që shkolla është larguar shumë nga fëmijët. Nuk funksionuan ndjenja e komunitetit, shkolla, oficeri i sigurisë në shkolle, por as familja. Duhet të bëjmë më shumë për sigurinë e fëmijëve, t’u kushtojmë më shumë kohë”, u shpreh ajo.

Ngjarja tragjike ndodhi më 19 nëntor në afërsi të shkollës "Fan Noli”, ku tre të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra me mjete prerëse, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në Spitalin e Traumës.

Duke marrë shkas nga vrasja e 14-vjeçarit, qeveria shqiptare do të nisë një diskutim të gjerë publik lidhur me mundësinë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat ose për vendosjen e një kufizimi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.

/rtsh.al/