RTSH 24 Live

Politikë

Vrasja e 14-vjeçarit, qeveria hedh në diskutim mbylljen e TikTok dhe Snapchat

18 orë para

Vrasja e 14-vjeçarit, qeveria hedh në diskutim mbylljen e TikTok dhe Snapchat

Qeveria shqiptare do të nisë një diskutim të gjerë publik lidhur me mundësinë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat ose për vendosjen e një kufizimi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.

Kjo iniciativë ka të bëjë me shqetësimet për rritjen e ngjarjeve tragjike, si ajo e vrasjes së një 14-vjeçari në Tiranë. Qeveria do të angazhojë komunitetin e prindërve dhe shkollave për të diskutuar zgjidhjen e këtij problemi.

Kryeministri Edi Rama shprehu shqetësimin për ndikimin negativ që këto rrjete sociale kanë te fëmijët dhe adoleshentët, duke theksuar rritjen e rrezikut të dhunës dhe bullizmit që po shtohen përmes këtyre platformave.

"Për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve sociale ku nuk ka asnjë mbrojtje dhe filtër dhe asnjë stimul pozitiv për edukimin dhe deri te shëndeti mendor i të miturve vihen seriozisht në pikëpyetje. Këto janë të vërteta të thjeshta që nuk është e vështirë të biem të gjithë dakord si prindër dhe qytetarë të shoqërisë së kohës së sotme ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. Shumë vende po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës por ende pa rezultate të madha," deklaroi Rama.

Kryeministri tha se shumë shtete kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 16-vjeç, por efektiviteti i këtyre masave ka qenë i ulët deri tani.

“Ne si qeveri jemi në kërkim të zgjidhjeve të mundshme për të ulur këtë presion dhe janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia e deri në Spanjë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 16-vjeç. Përtej këtyre debateve dhe përpjekjeve problemi ende i hapur mbetet mungesa e një sistem të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësive teknike që lidhet me disa faktorë. Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga eksperienca deri tanishëm në Europë mësojmë se efektiviteti i tyre është shumë i ulët, ku dhuna dhe bullizimi ndaj fëmijëve vetëm rritet apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok dhe Snapchat në Shqipëri. Kemi vendosur që këtë dileme ta hedhim për një diskutim të gjerë publik te prindërit ku do angazhohen të gjitha shkollat për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh dhe kompleks në zgjidhjen e vet,” tha Rama.

Në kuadër të rritjes së sigurisë në shkolla, Rama njoftoi edhe fytjen e “syrit dixhital” në shkolla që do të forcojë rolin e psikologut dhe oficerit të sigurisë pikërisht për të shmangur sa më shumë problematikat mes fëmijëve por edhe rastet e bullizmit.

“Po punojmë një sistem dixhital të kontrollit të shkollave dhe klasave për monitorim me kamerat inteligjente të tyre por edhe rrugëve rreth shkollave. Kjo do shërbejë për rritjen e sigurisë në përgjithësi dhe në rritjen e sigurisë dhe uljes së bullizmit nëpër shkolla.  Prej vitesh kemi ndaluar përdormini e celularëve në shkolla, por do rrisim sanksionet për përdorimin e tyre dhe do të forcohet edhe më tej roli i psikologut dhe oficerit të sigurisë me futjen e syve të teknologjisë ku praktikisht prindërit do të shohin gjithçka ndodh me fëmijën e tyre sa herë duhet të verifikojnë problematikat e lindura,” tha Rama.

Në fund kryeministri ka komentuar akuzat politike lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit para shkollës “Fan Noli”, ku tha se një tragjedi e tillë nuk mund të përdoret për pushtete dhe interesa personal, por së qytetarët duhen bërë bashkë për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla.

“Dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit 14-vjeçar është shumë më e madhe për t’u futur në perimetrin e ngushtë të sherrit politiko-mediatik që devijon çdo mbrëmje në kanalet e llumit ku përdorin fatkeqësinë për pushtet dhe interesa personale. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si komb dhe rritja e përgjegjësive për mbrojtjen e fëmijëve nis nga muret e shtëpisë, brenda shkollës dhe vijon kudo ku shtrihet jeta e fëmijëve tanë,” shtoi Rama.

/rtsh.al/