RTSH 24 Live

Europë

Vuçiç drejt Moskës për festimet e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore

20/11/2024

Vuçiç drejt Moskës për festimet e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç konfirmoi se ka pranuar ftesën e liderit rus Vladimir Putin për të marrë pjesë majin e ardhshëm në festimet për të shënuar 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore. 

Nëse nuk vjen fundi i botës, ndonëse nuk jam i sigurt, por shpresoj që nuk do të ndodhë, do të ishte nder i madh për mua që të jem në Sheshin e Kuq për përvjetorin e 80-të të çlirimit nga fashizmi. 9 Maji është ende shumë larg. Por unë do të doja të falënderoja presidentin Putin për ftesën. I thashë se, nëse nuk ndodh ndonjë gjë, do të jem i lumtur të marr pjesë në ato festime,” deklaroi z. Vuçiç.

Kremlini tha të martën se synon që më 9 maj 2025 të mbajë festimet më të mëdha në histori, ndërsa tenton të çojë përpara vlerat patriotike dhe ushtarake.

Kreu i shtetit serb paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin. 

Disa njerëz që nuk e njohin Vladimir Putinin thonë: 'Jo, ai nuk do ta bëjë këtë”, por nëse Moska do të kërcënohej, unë e njoh mjaft mirë presidentin rus për të thënë se ai nuk do të hezitonte të përdorte armë bërthamore,” u shpreh presidenti serb.

Në fjalimin drejtuar popullit serb, Vuçiç paralajmëroi dorëheqje të tjera të zyrtarëve qeveritarë lidhur me tragjedinë që ndodhi në Novi Sad më 1 nëntor, kur tarraca e betonit të stacionit të trenit u shemb dhe i mori jetën 15 personave. Ai u shpreh se përgjegjësia për një ngjarje kaq të rëndë nuk mund të shmanget.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/