RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet - PD dhe PS çojnë në Kuvend ndryshimet e reja ligjore për votën e diasporës

22 orë para

Zgjedhjet - PD dhe PS çojnë në Kuvend ndryshimet e reja ligjore për votën e diasporës

Në të njëjtën datë, 21 janar 2025, përfaqësuesit e dy partive të mëdha kanë depozituar në protokollin e parlamentit dokumente që RTSH i disponon, ku tregohet se çfarë kërkojnë sërish PS dhe PD nga ligji i zgjedhjeve.

Në relacionet që janë depozituar bashkë me propozimet ligjore, grupet e ndara të deputetëve të shumicës dhe pakicës në Kuvend janë përqendruar tek ndryshimet për zgjedhjet e ardhshme, por duke treguar njëkohësisht se kanë interesa të ndryshme, çka mund të çojë në një skemë interesante në marrëveshjet politike.

Socialistët në ndryshimet e tyre kërkojnë që të shkruhet në Kodin Zgjedhor se shpenzimet për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit tek votuesit nga jashtë ta financojë KQZ nga buxheti i shtetit.

Së dyti, numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të kryhet në KQZ nëpërmjet një komisioni me anëtarë të propozuar nga PS dhe PD, duke rritur transparencën gjatë leximit të votës së diasporës.

Dhe e treta, thonë socialistët, të rishikohen në ndihmë të KQZ afatet e regjistrimit të partive, koalicioneve, kandidatëve për deputetë.

PD në dokumentin e saj zyrtar shkruan se në 11 maj duhet të kenë të drejtë të votojnë nga jashtë Shqipërisë, të gjithë ata bashkëatdhetarë që ose u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, ose kanë aktualisht vetëm dokumentet e shtetësisë ose të rezidencës së përhershme të një vendi të huaj.

PD shkruan se nëse nuk merren masat e duhura në kohë për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje në votime të ulët, çka do të cenonte sipas opozitës ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.

Burimet i thanë RTSH-së se që ndryshimet të kenë efekt ligjor, duhet të kalojnë në parlament deri në datën 13 shkurt, duke shtuar se shumica do të kërkojë dialog në Komisionin e Ligjeve, ku pritet të fillojnë bisedimet politike.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/