RTSH 24 Live

Politikë

Spiropali me shqiptarët në Selanik: Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon

26/01/2025

Spiropali me shqiptarët në Selanik: Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon

Kryetarja e Kuvendit dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali zhvilloi takime me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Selanik të Greqisë. Spiropali kërkoi votëbesimin e diaspora, për të vijuar sikundër tha projektet zhvillimore dhe integruese të vendit.

Ne, socialistët ju kthyem një borxh të vonuar që politika ka pasur ndaj jush dhe kjo është vetëm një nga krenaritë e shumta që duam të ndajmë me njëri-tjetrin, motra e vëllezër, në këtë takim të përbashkët mes nesh. Regjistrohuni në listën e votimit. Dëshmoni vullnetin tuaj sesi duhet të qeveriset Shqipëria në katër vitet e ardhshëm. Votoni për Shqipërinë që ka ndryshuar e po ndryshon krenarisht! Votoni për projektin e Shqipërisë Evropiane të dekadës së ardhshme, qytetarë të parë evropianë të së cilës jeni edhe ju!”, tha ajo.

Spiropali vlerësoi marrëdhënen mes Shqipërisë dhe Greqisë, edhe pse, siç tha ajo, herë pas here “fryn erë mosbesimi”. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritarët grekë në Shqipëri, për Spiropalin janë ura bashkëpunimi mes dy vendeve.

Edhe pse siç ndodh shpesh mes fqinjëve, herë pas here në marrëdhëniet mes dy vendeve fryn erë mosbesimi, për çështje që nuk kanë lidhje as me Shqipërinë, as me ju, ne, Shqipëria dhe Greqia janë dy vende fqinj, miq tradicionalë dhe partnerë strategjikë. Që jemi fqinjë është zgjedhja e Zotit, që jemi popuj tradicionalisht miq dhe shtete partnerë strategjikë është zgjedhja e njerëzve dhe institucioneve të të dy vendeve tona. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoritarët grekë në Shqipëri janë ura miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Të dy palët janë dhe ndjehen zotër në shtëpitë e tyre. Megjithë vështirësitë dhe ulje-ngritjet në qëndrimet ndaj emigrantëve shqiptarë, që tashmë i kanë mbetur kapitujve të mbyllur të historisë, ne i jemi mirënjohës popullit dhe institucioneve të Greqisë për mbështetjen për ju dhe mirëkuptimin me qeverinë dhe institucionet tona për çështjet tuaja”, u shpreh Spiropali.

/rtsh.al/