RTSH 24 Live

Politikë

A do futen drejtuesit e qarqeve në primare? Berisha: Do vendosë Këshilli Kombëtar, unë nuk ndikoj

27/01/2025

A do futen drejtuesit e qarqeve në primare? Berisha: Do vendosë Këshilli Kombëtar, unë nuk ndikoj

E diela ishte afati i fundit i depozitimit të dorëheqjeve të Kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, që aspirojnë të bëhen pjesë e primareve, ndërsa ende nuk ka një vendim nëse pjesë e saj do të bëhen ose jo drejtuesit politikë të qarqeve.

I pyetur mbi këtë, kreu i demokratëve, Sali Berisha tha se vendimin do ta marrë Këshilli Kombëtar, teksa thekoi se nuk do të ketë ndikim nga ai.

“Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin. Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve. Nga ana tjetër, është shumë normale në një parti demokratike, të shprehen mendime të ndryshme. Unë u thashë më parë që në zyrën e tij kam propozime nga bashkëpunëtorë të mi dhe të tjerë që primaret të jenë me listë kombëtare. Të tjerë që të jenë me listë rajonale. Kjo është gjëja më normale. Dhe do arrihet një rezultante. Pra, nuk ka asnjë lloj orientimi nga unë përveçse atyre që janë shkruar në statut”, u shpreh Berisha.

Lidhur me votën e diasporës, Berisha tha se, sipas tij, ata kërkojnë që të jenë të vlefshme dokumentet e tyre biometrike në vendin ku jetojnë.

“Diaspora është shumë entuziaste me këtë të drejtë që iu është konsakrua, por kërkon në unanimitet që dokumentet e tyre biometrike të vendit ku jetojnë të jenë të vlefshme. Merrni po të doni Kosovën, e cila njeh pa asnjë lloj komenti të gjitha dokumentet biometrike të vendeve ku jetojnë shqiptarët. Pra, duhet të marrë fund kjo alergji dhe fobi nga diaspora dhe duhet të sanksionohet menjëherë njohja e dokumenteve biometrike”, deklaroi ai.

/rtsh.al/