RTSH 24 Live

Politikë

Klotilda Bushka zgjidhet zëvendëskryetare për Çështjet Ligjore në Asamblenë e KiE

28/01/2025

Klotilda Bushka zgjidhet zëvendëskryetare për Çështjet Ligjore në Asamblenë e KiE

Deputetja Klotilda Bushka Ferhati është zgjedhur me votim unanim si zëvendëskryetare e Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në këtë Komitet, ligjvënëses socialiste i është besuar roli i raportueses për përditësimin e listës së Komisionit të Venecies.

Bushka bart një karrierë të pasur profesionale dhe politike.

45-vjeçarja është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Sa i përket gjuhëve tëhuaja, ajo zotëron shkëlqyeshëm gjuhën angleze dhe italiane dhe ka marrë titullin avokate në vitin 2003, ndërsa në vitet 2008–2013 ka kryer Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri.

Bushka është anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ajo ka qenë anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë, si dhe kryetare e grupit të Këshilltarëve të Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës. Ajo ka mbajtur edhe detyrën e kryetares së Aleancës së Grave Këshilltare po në Bashkinë e Tiranës.

Sa i përket karrierës profesionale, nga vitit 1997 deri në 2000, Bushka ka shërbyer si koordinatore e Programit të Debatit – një program për nxitjen e lidershipit rinor, tolerancës dhe mendimit kritik pranë Fondacionit Soros, ku ka shërbyer dhe si anëtare e Bordit të Rinisë.

Në vitet 2001–2008 ka qenë avokate pranë Studios Ligjore Ndërkombëtare “Tonuçi”. Duke nisur nga viti 2008 deri në vitin 2015 ajo ka shërbyer si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Klotilda Bushka ka qenë anëtare e Dhomës së Avokatëve Tiranë që në vitin 2003.

Në vitin 2017 ajo u zgjodh deputete nga lista shumëmërore e Partisë Socialiste e dalë prej zgjedhjeve të 25 qershorit të atij viti. Aktualisht ajo mban edhe postin e kryetares së Komisionit të Ligjeve, ndërsa sot është zgjedhur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me votim unanim zëvendës Kryetare të Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut të Asamblesë!

/rtsh.al/