Në këtë monument të bashkëjetesës harmonike mes besimeve të ndryshme fetare gjen rrënjën e mbrojtjes dhe strehimit të familjeve me origjinë hebre nga banorë të Sarandës, Delvinës apo të fshatit Fterrë mbi Borsh, që është vetë një dëshmi e kësaj historie, të mbetur edhe në toponime e mbiemra me origjinë hebraike që ende ekzistojnë sot, si Varri i Çiftit, apo mbiemrat Kofina, Avreçi etj.
Historiani sarandjot Vladimir Kodhelaj sjell përjetimet që ruan nga kontaktet e tij me personazhe të cilat kanë përjetuar ose internimin, ose masakrën gjermane të Bregdetit.
"Izraelitët e tjerë ndihmonin në luftën antifashiste nacionalçlirimtare me mjete të ndryshme, me para, me medikamente," tregon z. Kodhelaj.
Nesimm Cohen nga Izraeli jeton tani në Amerikë, por e flet bukur shqipen.
Në një rrëfim, ai tregon historinë e familjes së tij, e cila u mor në mbrojtje nga një familje delvinjote.
"Kur erdhën gjermanët në Dhivër, një nga ballistët tregon se shtëpia e Semos Cohen strehonte dhe ndihmonte partizanët. Ata menjëherë erdhën dhe i nxorën jashtë shtëpisë. Gjyshja në atë moment kujtoi që kishin një lloj dokumenti fals sikur Semos Cohen ishte progjerman," thotë z. Cohen.
27 Janari është Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005.
Data u zgjodh pikërisht për të përkujtuar çlirimin e kampit të Aushvicit, më 27 janar 1945, plot 80 vite më parë.
Gazetar: Thoma Nika
/rtsh.al/