E diela është afati i fundit i depozitimit të dorëheqjeve të Kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, që aspirojnë të bëhen pjesë e primareve. Kjo bazuar në statutin e Partisë Demokratike të miratuar në Kuvendin e jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit të drejtuesve lokalë, të cilët aspirojnë të bëhen pjesë e garës së brendshme për kandidat për deputet.
Udhëzimi, i bërë para pak ditësh, ka sjellë edhe dorëheqjet e disa drejtuesve si të Elbasanit, Sarandës, Himares etj.
Ende selia blu nuk ka vendosur një datë se kur do mbahen primaret.
Kryesia dhe Këshilli Kombëtar do të përcaktojnë modalitetet e garës si edhe do të vendosin nëse pjesë e saj do të bëhen ose jo drejtuesit politikë të qarqeve.
Forumet do të vendosin nëse numri i votave të përfituara në Primare do të përcaktojë ose jo vendin në listën e kandidatëve për deputetë.
Meqenëse Diaspora për të parën herë voton në zgjedhjet e 11 Majit, demokratët synojnë që në listë të kenë edhe përfaqësues të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Edhe pas procesit të bashkimit të demokratëve ka patur disa zëra kundërshtues për mbajtjen e primareve.
Sipas gjykimit të tyre, gara e brendshme mund të sjell pakënaqësi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratat publike ka qenë i prerë për respektimin e statusit, duke i hapur kështu rrugë mbajtjes së primareve, me shumë gjasë në muajin shkurt.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/