Kryetari socialist i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili u dënua me një vit burg nga GJKKO për korrupsion zgjedhor, thotë se do të vijojë të ushtrojë detyrën deri kur të ketë, sipas tij, një vendim të formës së prerë nga sistemi i drejtësisë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Memolla shprehet se do ta apelojë vendimin e GJKKO, që e konsideron si të pambështetur në prova dhe fakte
“Që kur m'u besua detyra e përfaqësuesit të popullit tim, kam qenë në dijeni për peshën që do sillte në çdo dimension të sajin. Drejtësinë e Re e kam mbështetur fuqimisht dhe si rrjedhojë jam i hapur të pranoj çfarëdolloj vendimi të dhënë kundrejt meje, por kjo nuk më pengon të apeloj një vendim i cili nuk është i mbështetur aspak në prova dhe fakte. Theksoj se deri në një vendim të formës së prerë e më tej, unë jam kryetar i bashkisë Rrogozhinë, në krye të detyrës dhe i vetëdijshëm për të gjitha përgjegjësitë që ky post sjell. Së fundmi, ju falënderoj nga zemra të gjithë ju që keni qenë pranë meje duke më njohur, mbështetur si njeri, duke besuar të vërtetën time të pafajshme dhe s'më keni kthyer shpinën edhe kur situata duket e vështirë”, shkruan ai.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Po ashtu, GJKKO vendosi që Memollës t'i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Ai u shpall fajtor për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, pasi në një video të bërë publike, Memolla, asokohe kandidat në zgjedhje me Partinë Socialiste, i kërkonte një elektricisti për të mos i ndërprerë energjinë një abonenti debitor, me qëllim që ai të votonte në favor të tij.
/rtsh.al/