RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës/ Mbyllet procesi i votimit për kryetarin e ri të bashkisë

24/09/2023

Zgjedhjet e pjesshme në Kukës/ Mbyllet procesi i votimit për kryetarin e ri të bashkisë

Në Kukës u mbyll në orën 19:00 procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë.

Tani i është hapur rruga numërimit të votave. Në garë janë Albert Halilaj nga Partia Socialiste dhe Emri Vata nga koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë”. Partia Demokratike zyrtare, nga ana tjetër, zgjodhi që të mos përfshinte kandidatë në garë.

Teksa pjesëmarrja nisi ulët në orët e para pas hapjes së vendvotimeve, shifra e kaloi nivelin 40% në fund.

Sipas KQZ-së në zgjedhje morën pjesë 45,63% e qytetarëve me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit kur pjesëmarrja arriti mbi 52%, këtë të drejtë e ushtruan sot më pak qytetarë.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nga Kukësi ku vëzhgoi nga afër procesin zgjedhor tha se procesi i votimit u krye normalisht, pa probleme në aspektin teknik. Ai tha se janë raportuar veç disa shqetësime nga ana e koalicionit "Bashkë Fitojmë" për persona që shënonin emrat e votuesve në qendra votimi të tjera.

Nga çfarë është raportuar nuk rezulton se ka pasur probleme në aspektin teknik të zhvillimit të procesit. Janë prezantuar disa shqetësime nga përfaqësues së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në lidhje me prezencën në disa qendra të votimit të personave që mbanin shënim zgjedhësit që shkonin për të votuar.

Kemi shkuar në këto qendra, të paktën në atë kohë nuk ka rezultuar që ka pasur njerëz dhe në përgjithësi nuk ka raportim për problematika. E kemi adresuar si shqetësim”, tha Celibashi.

Zgjedhjet në Kukës po mbahen pas dorëheqjes dhe shkarkimit të Safet Gjicit, pas publikimit të një videoskandali nga zyra e tij.

/rtsh.al/