Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik një projekt vendim i cili synon rritjen e efiçencës së energjisë së ndërtesave.
Me anë të kësaj strategjie, qeveria ka për qëllim dekarbonizimin e stokut të ndërtesave, duke reduktuar ndjeshëm emetimet e gazeve me efekt serrë dhe duke kontribuar në arritjen e objektivave të Marrëveshjes së Parisit.
Strategjia thekson se ndërtesat e banimit shfrytëzojnë kryesisht energjinë elektrike për plotësimin e kërkesave të tyre për ngrohjen, ftohje dhe ndriçimin.
Duke marrë parasysh këto fakte, qeveria vlerëson se është i domosdoshëm miratimi i një skeme financiare mbështetëse për nxitjen e investimeve në stokun e banesave me qëllim reduktimin e kërkesës për energji si dhe zbutjen e efekteve që do të sjellë kalimi gradual në një treg të liberalizuar të energjisë për konsumatorët.
Në vendimin e propozuar parashikohen disa mënyra për uljen e konsumit të energjisë duke analizuar ndërtesat sipas zonave klimatike si dhe duke i ndarë në disa grupe apo tipologji që kanë banesat.
Sipas projektit qeveria merr parasysh mbështetjen financiare si dhe specifikat apo format e subvencionit që mund të jepet për të nxitur kursimin e energjisë.
Për konsumatorët fundorë, strategjia parashikon formën e granteve dhe kredive të buta me afat të gjatë.
Efektet financiare për rinovimet që do kryhen, do përballohen nga buxheti i shtetit për institucionet e qeverisjes qendrore.
Ndërsa institucionet e qeverisjes vendore, në varësi të situatës mund të kërkojnë mbështetje financiare nga qeverisja qendrore.
Zbatimi i projekt-vendimit pritet të ketë përfitime të rëndësishme ekonomike, mjedisore dhe sociale.
Në aspektin ekonomik, ulja e konsumit të energjisë do të reduktojë kostot për qytetarët dhe bizneset, ndërsa do të krijohen vende pune dhe do të nxitet zhvillimi i teknologjive të gjelbra.
RTSH