Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në X lidhur me sulmin në Magdeburg të Gjermanisë, ku një makinë hyri mes turmës në Tregun e Krishtlindjeve duke lënë pas deri tani 2 të vdekur e dhjetëra të plagosur ku disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Rama shkruan se është i tmerruar nga sulmi që mori jetë të pafajshme.
'Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, duke marrë jetë të pafajshme dhe duke plagosur shumë gjatë festimeve të Tregut të Krishtlindjeve. Shqipëria dënon ashpër këtë akt barbar dhe solidarizohet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm. Së bashku, ne mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.', shkruan Rama.
Edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg në Gjermani, ku një makinë u fut me shpejtësi në mes të turmës duke marrë njerëzit para.
Hasani, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X shkruan:
‘Thellësisht të tronditur nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg, i cili ka lënë dhjetëra familje të shkatërruara gjatë një periudhe që duhej të ishte e gëzueshme. Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë’, shkruan Hasani.
/rtsh.al/