Disa ditë më parë, disa deputetë të PD ishin ftuar në ambasadën amerikane për të diskutuar kryesisht për çështjet që shqetësojnë opozitën, lidhur me zgjedhjet. Jorida Tabaku është një prej deputetëve në takimin me të ngarkuarën me punë në ambasadën amerikane Nancy Van Horn.
Por megjithëse ajo është e rezervuar me detaje nga takimi, zonja Tabaku dha një mesazh gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë” në lidhje me raportet e PD me ndërkombëtarët.
“Ka ekzistuar për një kohë të gjatë teza se PD nuk ka mundësi të ngrejë me partnerët shqetësimet që ka, prandaj unë dua që ta shohim në këtë prizëm faktin që PD e ka derën e hapur për t’i ngritur shqetësimet e veta me të gjithë partnerët ndërkombëtarë”, tha zonja Tabaku, e cila nuk shmangu edhe një përgjigje të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve mes PD dhe administratës së re Trump, tek e cila ka shpresë për të hequr zotin Berisha nga lista e personave non grata.
Zonja Tabaku i bëri komentet, e pyetur se çfarë pret PD nga administrata e re për këtë çështje.
“PD është parti simotër e Partisë Republikane dhe beson se me ardhjen e saj në qeverisje në SHBA me Presidentin Trump, do të ketë disa vlera dhe besime që ne gjykojmë që i kemi të përbashkëta. Këta elementë lidhen edhe me mbështetjen më të fortë të PD-së.”- u shpreh Jorida Tabaku me një ton optimist, të cilin ajo s’e përdor shpesh në daljet e saj publike.
Megjithatë, tani PD-së i duhet të përballet me sfidën sesa e besueshme është përtej problemeve që ngre. “Këtë do ta shohim, zgjedhjet janë vetëm 5 muaj larg, thotë zonja Tabaku në intervistën e saj për emisionin “Pa Censurë”, ku argumenton se PD duhet të punojë në dy drejtime.
Së pari, të ngrejë problemet me zgjedhjet, pasi, siç thotë ajo, zgjedhjet janë vërtet të reja, por qeveria ka nisur avazin e vjetër për të influencuar procesin zgjedhor. Së dyti, zonja Tabaku tha se është shumë e rëndësishme që PD të shpalosë një alternativë dhe ekip të besueshëm për zgjedhjet, duke patur në fokus ekonominë e qytetarit.
/rtsh.al/