Kreu i PD-së, Sali Berisha ka kritikuar buxhetin e vitit 2025. Në një takim me pensionistët në Durrës, Berisha e konsideroi “tallje” dhe “cinizëm” bonusin e përcaktuar nga qeveria për këtë kategori.
Duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili ka krahasuar jo pak herë vlerën e pensionit sot me vlerën në vitin 2013, para se PS të merrte pushtetin, Berisha tha se pensionet duhen ballafaquar me rritjen e çmimeve. Për pasojë, sipas tij, pensionet sot janë 30% më të ulëta se në vitin 2013.
“Ne do përmbysim modelin e derisotëm të shpërndarjes së të ardhurave kombëtare të buxhetit. Dhe kjo përmbysje nënkupton që, pjesa dërrmuese e tij duhet t’ju rikthehet qytetarëve me urgjencë. Midis këtyre qytetarëve që duhet t’ju rikthehet, janë pensionistët të parët. Pse pensionistët? Sepse ata me pensionet që marrin, janë absolutisht qeniet më të keqtrajtuara në Europe, dhe ndër më të keqtrajtuarit në botë.
Pensionet në Shqipëri, nga viti 2013 gjer sot, në rast se i ballafaqojmë me rritjen e çmimeve janë të paktën 30% më të ulëta se sa në vitin 2013. Buka sot, është dyfishi. Qumështi, veza, të gjitha produktet bazë janë dyfishi, ose 60, 80% më të shtrenjta se sa ishin në vitin 2013. A ka tallje më të madhe, a ka cinizëm më të madh. A nuk është ky një shumëzim me zero i 780 mijë shqiptarëve. Në 8.2 miliardë, ndan 16 milionë”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/