RTSH 24 Live

Muzikë

Nis me surpriza nata e dytë e 'Fest 63', 15 këngëtarë do të ndezin sallën e Pallatit të Kongreseve

4 orë para

Nis me surpriza nata e dytë e 'Fest 63', 15 këngëtarë do të ndezin sallën e Pallatit të Kongreseve

Nata e dytë e Fest 63, e cila ka nisur sonte në Pallatin e Kongreseve, do të sjellë të tjera emocione, të tjerë zëra në garë, që synojnë të marrin trofeun e fituesit të Festivalit mbarëkombëtar të muzikës së lehtë shqiptare. Këngëtarët e shoqëruar në interpretimet e tyre skenike nga Orkestra Simfonike e RTSH-së pritet të sjellin jo vetëm kolore të ndryshme vokale, por të dhurojnë edhe performanca në skenë, të cilat do të pasurojnë edhe më shumë vlerat e krijimeve muzikore.

Nata e dytë, ashtu si edhe nata e parë, moderohen nga Ornela Bregu dhe Enkel Demi. Do të jenë në garë 15 këngëtarë, duke filluar nga debutuesit, që ngjiten për herë të parë në skenë, ashtu edhe nga zëra të tjerë, madje fitues të Festivalit.

Në nisje Elton Deda, nën tingujt e muzikës së këgës të kompozuar nga Agim Krajka, ‘Nuk e harroj’, kënduar nga motrat Irma dhe Eranda Libohova, fituese të Fest 26, ka prezantuar edhe bandën muzikore.

Në natën e dytë do të jenë 15 këngëtarë në garë, të cilët do të interpretojnë live në skenën magjike të Fest 63, me skenografi të Albi Çifligut, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, drejtuar nga disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani.

Por nata e dytë e Fest 63 nuk do të ketë vetëm konkurrentë në garë, por edhe këngëtar dhe balerinë, të cilët do ta pasurojnë akoma më shumë këtë mbrëmje unike të muzikës shqiptare të të gjitha trojeve. Nata e dytë do sjellë në skenën e Fest 63 këngëtarin e mirënjohur, Aleksandër Gjoka dhe balerinën, Klaudia Pepa, si të ftuar special.

15 artistët në garë që do performojnë në natën e dytë të Fest 63:

  1. Algert Sala
  2. Devis Xherahu
  3. Elvana Gjata
  4. Endrik Beba
  5. Epos 
  6. Frensi Revania 
  7. Gjergj Kaçinari
  8. Gresa Gjocera 
  9. Klea Dina 
  10. Laorjan Ejlli & Adelina Correj 
  11. Mal 
  12. Rea Nuhu 
  13. Santino de Bartolo 
  14. Stine 
  15. Vesa Smolica

Juria

Ashtu si edhe në natën e parë të Fest 63, edhe 15 interpretimet e reja të këngëtarëve do të ndiqen nga juria profesioniste e Festivalit. Ajo përbëhet nga disa prej personaliteteve të njohura  në fushën e muzikës, të letrave dhe të pedagogjisë.

Kryetare e jurisë është artistja e njohur, Zana Çela, ndërsa anëtarë që plotësojnë të gjithë trupën e jurisë janë : Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.

Vota e jurisë do të përcaktojë 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.

Festivali i 63 i Këngës wshtw një ngjarje muzikore plot sfida, por edhe me shumë mundësi për të gjithë artistë ambiciozë që duan të promovohen jo vetëm në Shqipëri, por dhe në skenën evropiane.

/rtsh.al/