Pak orë na ndajnë nga nisja e ngjarjes më të madhe të muzikës shqiptare. Për 4 net me radhë, duke nisur nga sot ora 21 e mbrëmjes e deri më datë 22, në Pallatin e Koncerteve mbahet Fest 63, ku një buqetë këngësh, me muzikë të mirëfilltë shqiptare, do të ngjisë në skenë 30 artistë në garë. Një traditë e përvitshme në këtë rrugëtim të gjatë, ku bashkë me atmosferën e fundvitit ky event premton për publikun emocione të forta dhe surpriza të shumta. Ky edicion do të jetë një kombinim i talentit të artistëve të mëdhenj dhe zërave të rinj që do të shoqërohen nga orkestra dinjitoze e RTSH-së.
Një pjesë e detajeve janë bërë publike më herët. Ky edicion i 63 rikthen në skenë dyshen e moderatorëve Ornela Bregu dhe Enkel Demi. Do të jenë ata që do të prezantojnë 4 netët e Fest 63, ndërsa prapa kuintave, nja hap larg skenës në pritje në çdo debutimi të artistëve do të jenë Andri Xhahu dhe Alesia Burnazi në një transmetim të drejtpërdrejt nga RTSH 24, përgjatë gjithë netëve të festivalit. Menjëherë pas mbylljes së çdo nate në RTSH 1 do të vijë post festivali nën drejtimin e Fjodora Fjorës, ku do të analizohen performancat e artistëve.
Drejtoreshë artistike e Festivalit është Elhaida Dani, me autore Zefina Hasani. Ky spektakël i muzikës do të vijë nën regjinë e Redi Trenit, ndërsa pjesë e grupit të punës janë edhe emra të tillë, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari apo Elton Deda.
Nata e parë rezervon shumë surpriza duke nisur nga zbulimi i skenografisë, së realizuar nga Albi Cifliku për të cilën tematikë e sivjetshme janë rrënjët. Publiku do të njihet gjithashtu me emrat e 7 anëtarëve të jurisë, që do të vlerësojnë të gjithë komponentët artistik. Te ftuarit special që do të ndezin skenën në natën e parë, reperi shqiptar Noizi dhe këngëtarin francez të hitit Mon Amour, pjesëmarrës në Eurovizion Slimane.
Nata e dytë rikthen këngëtarin e njohur Aleksander Gjoka, si të ftuar special.
Një nga netët e veçanta është edhe ajo nostalgjike, ku do të interpretohen këngë pjesëmarrëse ndër vite në Festivalin e këngës, që këtë radhë do të interpretohen vetëm nga këngëtarët pjesëmarrës dhe jo me të ftuar big.
Ky edicion i kthehet formulës, vetëm të një fituesi, për atë që do të votohet më shumë. Janë të ndarë përqindjet në mënyrë të barabartë ku 50 % e ka juria dhe 50 % publiku, ndërsa një çmime do të ketë edhe për vendin e dytë dhe atë të tretë.
Një nga risitë e këtij viti, është përfshirja në votim e diasporës, falë funksionimit të një sistemi online, ku çdo shqiptar mund të votojë anekënd botës.
Juria, në natën e tretë do të zgjedh 15 këngët që do shkojnë në finale dhe po këtë natë, nga vlerësimi i jurisë do të ndahen 2 çmime të rëndësishme, ai për tekstin më të mirë, si dhe çmimi i kritikës.
Surprizat që do të shoqërojnë këtë edicion të sivjetshëm do të zbulohen pas çdo mbrëmje, deri në natën finale me shpalljen e fituesit të Fest 63, i cili do te siguroje edhe biletën në Eurovizion vitin e ardhshëm.
/RTSH/