RTSH 24 Live

Muzikë

Nis Fest 63! 15 artistë prekin sot skenën magjike, Slimane dhe Noizy të ftuar specialë

8 orë para

Nis Fest 63! 15 artistë prekin sot skenën magjike, Slimane dhe Noizy të ftuar specialë

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e natës së parë të FEST 63 që do ngjisë në skenë artistë të ndryshëm, për t’i dhuruar publikut shqiptar një buqetë këngësh.

Nën tingujt e muzikës, dritave skenike e kamerave, starton mbrëmjen e sotme ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme muzikore e vitit, jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjitha trojet shqipfolëse.

Ajo që bie në sy në Fest 63 është fakti se ka një ndërthurje të larmishme zërash, që në karrierën e tyre kanë prekur lloje të ndryshme zhanresh muzikore, por të fokusuar më së shumti tek muzika pop dhe rok. Disa prej interpretuesve në skenë do të shkelin për herë të parë në tapetin e netëve magjike të Fest 63, ndërsa disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në festivalet e mëparshme, duke ngritur edhe trofe të këtij festivali.

Të ndryshëm janë mesazhet që do të përcillen përmes skenës së FEST 63 për 4 netë radhazi përmes teksteve të shkruara e kuruara të këngëtarëve, ku do t’i këndohet jo vetëm dashrurisë për njeriun, por edhe për vendin, do të ceken tematika mbi vendin, frymën kombëtare, si dhe do të përcillen mesazhe sensibilizuese me natyrë sociale.

30 janë arstistët që konkurrojnë në këtë festival, ku 15 do të përformojnë në natën e parë dhe 15 artistë të tjerë në natën e dytë të Fest 63.

Nata e tretë është Nata e Nostalgjisë. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duete nga artistët pjesëmarrës të Fest 63.

Ndërsa nata e katërt ka rezervuar për artistët emocione edhe më të forta, pasi vetëm të përzgjedhurit do të vijojnë betejën për çmimin e parë që do t’i çojë ata në Eurovision.

Slimane, i ftuar special në natën e parë të Fest 63

Slimane, këngëtari i famshëm francez, do të jetë i ftuar special në natën e parë të Fest 63, duke sjellë një performancë që pritet të jetë një nga momentet kulmore të festivalit. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij të fuqishme "Mon Amour", një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.

Prania e Slimane në Fest 63 është e shumëpritur dhe ai do të sjellë jo vetëm energjinë e Eurovizionit në skenën shqiptare por ka rezervuar edhe një surpizë për publikun shqiptar.

Noizy për herë të parë në skenën e Festivalit të 63 të Këngës

Reperi i njohur shqiptar, Noizy, do të jetë pjesë e Festivalit të 63 të Këngës në RTSH.

Artisti do të ngjitet në skenën prestigjioze të Festivalit si i ftuar special i natës së parë, ku do të performojë së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Kjo është hera e parë që Noizy, një nga artistët më të suksesshëm të muzikës shqiptare, ngjitet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH.

Polo: Fest 63, RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së dhe Drejtoresha e Festivalit, Aurora Polo, në prag të ngritjes së siparit të Fest 63, ka falënderuar ekipin artistik dhe profesional të radiotelevizionit për angazhimin dhe përgatitjen e një festivali të denjë, që “ka bërë histori në çdo fundvit”.

Sipas saj, ky festival përfaqëson një përpjekje serioze për të kënaqur publikun, duke i dhënë mundësinë besnikëve, nostalgjikëve dhe të rinjve, që të ndjekin një ngjarje të denjë për traditën muzikore shqiptare.

Ajo ka falënderuar edhe stafin e RTSH-së dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, që janë, sipas saj, "diamanti i këtij festivali, si dhe një shtyllë e rëndësishme për realizimin e tij”.

Sipas saj, ky festival është një prodhim i nivelit të lartë, që tregon se “RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar”.

“Çdo fundvit RTSH ka përgatitjen më të madhe të muzikës në vend. Kjo traditë është ruajtur me shumë profesionalizëm nga ky institucion, por edhe nga këngëtarët. Këtë vit Festivali i Këngës përfaqësohet nga 30 krijime artistike. Si drejtoreshë e këtij festivali falënderoj ekipin e artistëve me nivel të lartë profesional, për të sjellë një festival të denjë dhe për të kënaqur shikueshmërinë, besnikët, nostalgjikët, si dhe për të tërhequr sa më shumë të rinj pranë Festivalit të Këngës. Një falënderim i veçantë shkon edhe për stafin e RTSH-së dhe diamantin e këtij festivali, Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Jemi këtu për t’i treguar publikut se ne bëjmë prodhime serioze, shumë me dinjitet, siç është edhe Festivali i 63 i Këngës”, u shpreh Polo.

Këngëtarët në garë dhe orkestra e RTSH

Do të jenë 30 artistë pjesëmarrës në Fest 63, të cilët për ditë me radhë kanë bërë prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bandën muzikore. Prej dy javësh i gjithë formacioni muzikor është zhvendosur në Pallatin e Kongreseve.

Këtë vit duket se këngët janë mjaft cilësore dhe do të jenë vetë freskia e festivalit.

Blerta Ristani, drejtoresha artistike e Orkestrës Simfonike, bëri të ditur se i ka dëgjuar të gjitha këngët dhe thekson se ka këngë jashtëzakonisht të bukura, si të këngëtarëve të rinj dhe atyre të afirmuar.

“Orkestra është në dispozicion absolut të festivalit. E shoh si elementin më kryesor dhe ndikon shumë në mbarëvajtjen e festivalit, pasi është formacioni më i qëndrueshëm. Të bësh një festival me një orkestër simfonike live, këtë e bënë vetëm RTSH”, u shpreh Ristani.

Një element kryesor i Festivalit të fundvitit është Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, e cila, pas përfundimit të stinës koncertore, i është përkushtuar tërësisht Festivalit të Këngës.

Dirigjentë të Orkestrës në katër netët e Fest 63 do të jenë disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit, por edhe të krijimtarisë dhe interpretimit instrumental, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani.

Pjesë e orkestrës do të jetë edhe banda muzikore, i cili do të drejtohet nga kantautori Elton Deda. Sipas tij, prurjet muzikore të 30 artistëve pjesëmarrës janë mjaft të mira, duke shtuar se “këtë vit është punuar që këngët të jenë më afër bandës”.

Nga 30 artistë konkurrues në Fest 63, 16 prej tyre do të ngjiten për herë të parë në skenën e Festivalit të këngës në RTSH.

Këngëtarët në garë sipas rendit alfabetik

  1. Algert Sala 
  2. Alis 
  3. Ardit Çuni
  4. Devis Xherahu 
  5. Djemtë e Detit 
  6. Elvana Gjata 
  7. Endrik Beba 
  8. Epos 
  9. Erma Mici 
  10. Frensi Revania 
  11. Gjergj Kaçinari
  12. Gresa Gjocera 
  13. Jet 
  14. Kejsi Jazxhi 
  15. Klea Dina 
  16. Kleansa Susaj 
  17. Laorjan Ejlli & Adelina Correj 
  18. Lorenc Hasrama 
  19. Luna Çausholli 
  20. Mal 
  21. Martina Serreqi 
  22. Mihallaq Andrea 
  23. Nita Latifi 
  24. Orgesa Zaimi 
  25. Rea Nuhu 
  26. Ronaldo Mesuli 
  27. Santino de Bartolo 
  28. Shkodra Elektronike 
  29. Stine 
  30. Vesa Smolica

/rtsh.al/