Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti të premten në një takim Këshillin Koordinues të Diasporës të kryesuar nga Mark Gjonaj dhe Anxhela Paparizo nënkryetare. Berisha u shpreh se diaspora duhet të ketë fjalën e saj kundër instalimit të një diktature në Shqipëri, nëpërmjet votës së saj të lirë, por jo vetëm.
Kreu i PD u shpreh se, në selinë e Partisë Demokratike u shkëmbyen gjerësisht mendime mbi situatën në vend dhe rolin jetik të diasporës shqiptare për mbarë hapësirën kombëtare shqiptare.
“Nën drejtimin e Mark Gjonajt, të cilin e falënderoj për investimin ndër vite në shërbim të kauzës sonë kombëtare, anëtarët e Këshillit u informuan mbi angazhimin e plotë të Partisë Demokratike në mbështetje të votës së diasporës, jo vetëm si një e drejtë e garantuar tanimë, por mbi të gjitha si një vullnet i cili duhet të jetë i mbrojtur nga ndërhyrjet e krimit zgjedhor”, theksoi Berisha.
“Këshilli u informua mbi represionin dhe gjyqet politike ndaj përfaqësuesve të opozitës të cilët e kanë renditur Shqipërinë në nivelin e autokracive si Tunizia apo Bjellorusia, ashtu siç konfirmohet dhe nga tre rezolutat e grupimeve më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë IDU, EPP dhe CDI. Një grusht shteti ky ndaj opozitës, i cili i shërben interesave kriminale të bandave ndërkombëtare të drogës, por dhe korrupsionit transnacional të lidhur me rrjetet e fondacionit Soros. Në këtë drejtim, diaspora duhet të vijojë të luajë një rol aktiv në mbrojtjen dhe promovimin e standardeve më të larta demokratike e qeverisëse perëndimore, por dhe në mbrojtje të interesit kombëtar duke garantuar sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës”, u shpreh Berisha.
Berisha i garantoi anëtarët e Këshillit se Partia Demokratike do të angazhohet plotësisht në krijimin e kushteve që diaspora shqiptare të ketë mundësi të investojë kapitalin e saj ekonomik, teknik dhe njerëzor në vendlindje, duke krijuar regjimin e taksave më konkurrues në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, shtoi Berisha, “si pjesë e angazhimeve tona qeverisëse, PD do të sigurohet që në administratën tonë të ketë pozicione të garantuara për çdo shqiptar që kërkon të kontribuojë në administratën e vendit”.
Por, shtoi Berisha, “për këto dhe të tjera, duhet pikësëpari që vota e diasporës të garantohet maksimalisht edhe nga një qeveri teknike, e cila mund të shkruhet në Kushtetutë si një garanci për çdo zgjedhje të ardhshme, pavarësisht kahut politik në qeveri”.
Berisha i shprehu mirënjohjen më të thellë Këshillit dhe mbarë diasporës, “për çdo kontribut të vyer që japin për vendin, duke besuar thellësisht se roli i saj në betejën e lirive dhe të çështjes sonë kombëtare, ashtu dhe në zhvillimin ekonomik e demokratik të vendit, do të mbetet jetik”.
Në takim merrnin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe drejtues e deputetë të PD-së: Jozefina Topalli, Ina Zhupa, Akil Kraja, Enri Çeno, Ilda Zhulali.