Partia Demokratike i ka hapur rrugën procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë, teksa në mbledhjen e Kryesisë së kësaj të enjte (15 qershor) u vendos mbledhja e Këshillit Kombëtar më 20 qershor.
Këshilli Kombëtar zgjedh nënkryetarin, i cili më pas do të drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Pas dorëheqjes së Tabakut, vetëm Eneklejd Alibeaj është për momentin nënkryetar i PD, por në kushtet kur ai është dorëhequr si kryetar në detyrë, nuk mund të drejtoj procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në bazë të statutit të PD është Këshilli Kombëtar ai që zgjedh nënkryetarin dhe personi që do të zgjidhet, pritet të drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Po ashtu, Kryesia vendosi organizimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, që do të drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë.
Pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat do të paraqesë kërkesën për kandidim brenda datës 20 qershor 2023, ndërsa fushata zgjedhore do të zhvillohet nga data 24 qershor deri në datën 27 korrik 2023.
Gazetarja e RTSH-së, Sonila Agostini bëri me dije se mbledhja gëzonte kuorumin e nevojshëm pasi Kryesia e PD u mblodh me kërkesë të 1/5 së anëtarëve të saj, konkretisht me kërkesë të Taulant Zenelit, Endri Hasës, Gazment Koduzit, Taulanda Jupit, Kreshnik Ccollakut, Xhemal Gjunkshit dhe Gentian Gabës. Ndërkohë në mbledhje mungoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Kujtojmë se Kryesia e Partisë Demokratike vendosi mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të PD-së më 29 korrik.
/rtsh.al/