Mes tensionesh dhe debatesh, në Partinë Demokratike është hapur gara për kreun e Partisë Demokratike që do të mbahet më 29 korrik. Por Jorida Tabaku e ka cilësuar si proces të nxituar dhe të njëanshëm teksa vetë ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetares së kësaj force politike. Tabaku ka bërë të ditur dorëheqjen e saj nga posti përmes një deklarate duke theksuar se demokratët meritojnë një proces të drejtë.
Në deklaratën e saj Tabaku vë në dukje se vendimet e nxituara do të sjellin të njëjtat gabime si në të kaluarën për Partinë Demokratike.
“I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime!”, thekson Tabaku.
Deklarata e plotë e Jorida Tabakut:
Kryesia e PD mbas një mbedhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti.
Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një process të drejtë, real dhe që na nderon.
Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime!
Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo.
Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar.
I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në process. Të mos nxitohemi!
Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmnton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret! Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD!
/rtsh.al/