Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot sërish për vrasjen e policit në Kosovë nga një sulm terrorist, ku humbi jetën efektivi i policisë Afrim Bunjaku.
Rama shkruan se përulet me nderim për efektivin Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës.
“MIRËMËNGJES me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës🇽🇰🙏🇦🇱”, shkruan Rama.
Bunjaku u vra mëngjesin e ditës së djeshme (24 shtator) në hyrje të fshatit Banjskë nga persona të armatosur të cilët hapën zjarr e hodhën granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Polici Bunjaku humbi jetën, ndërsa mbeti i plagosur një efektiv tjetër.
Reagimi i Kryeministrit Rama ishte i menjëhershëm pas ngjarjes së rëndë, ku kërkoi nga komuniteti euroatlantik që të ulë “pa kthim” Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut.
Rama vuri theksin te nevoja për thirrjen e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen dhe garancinë e BE dhe SHBA.
Ngjarja tragjike nxiti gjithashtu reagimin e ndërkombëtarëve, të cilët dënuan ashpër sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.
Sakaq, dita e sotme është shpallur ditë zie në Kosovë në nderim të Policit të rënë në krye të detyrës.
/rtsh.al/