RTSH 24 Live

Kosovë

Konfiskimi i armëve dhe municioneve, Kurti: Operacioni vazhdon. Sot ditë zie në Kosovë

25/09/2023

Konfiskimi i armëve dhe municioneve, Kurti: Operacioni vazhdon. Sot ditë zie në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka garantuar se operacioni kundër terroristëve të armatosur do të vijojë. Reagimi i kreut të qeverisë së Kosovës erdhi pas konfiskimit nga Policia të qindra armëve, municioneve dhe pajisjeve të rënda ushtarake rreth manastirit të Banjskës.

Kryeministri u shpreh në rrjetin social X se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.

“Në operacionin e sotëm kundër terroristëve të armatosur, Policia e Kosovës, konfiskoi qindra armë dhe municione, duke përfshirë pajisje të rënda ushtarake, si mitralozë, granata e të tjera. Policia jonë mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Operacioni është në vazhdim”, shkruan Kurti.

Aksioni erdhi fill pas regjistrimit të ngjarjes së rëndë në Kosovë mëngjesin e së dielës (24 shtator) ku në hyrje të fshatit Banjskë persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe hapën zjarr e hodhën granata dore në drejtim të policisë së Kosovës, ku për pasojë një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) bëri me dije se janë dërguar në mbajtje për 48 orë 6 nga personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë.

"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se që nga marrja e informatave të para lidhur me sulmin e ndodhur në mëngjesin e sotëm, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, në vendin e ngjarjes ka dalur prokurori i PSRK-së për të mbikëqyrur aksionin e sotëm", thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Pas ngjarjes tragjike, presidentja Vjosa Osmani vendosi që dita e sotme të shpallet ditë zie në nderim të policit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës nga grupet serbe.

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.

/rtsh.al/