Në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka vendosur që dita e hënë të shpallet dite shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës nga grupet serbe.
Zija shtetërore do të zgjasë përgjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i kryejë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në betejën e Kosovës për rend dhe ligj, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
I shoqëruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Gashani dhe kolegë të te ndjerit, Afrim Bunjaku kanë vizituar familjen e tij për t’i shprehur ngushëllime.
“Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit.
Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për te gjithë pa dallim kundër kriminelëve dhe terroristë të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia, do te ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë ne zotohemi që rrugën të cilën ai e ndriti me punën dhe angazhimin, por edhe sakrificën e flijimin, ne do ta vazhdojmë pa kompromis”, deklaroi Kurti.
/rtsh.al/