Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani fjalimin vjetor para deputetëve e nisi duke përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar Adem Jashari, dy figurat kryesore për forcimin e themeleve të shtetit. Osmani u shpreh se aleancat mes shteteve janë shumë të rëndësishme, duke theksuar se asnjë popull nuk ia ka dalë i vetëm dhe asnjë shtet nuk mund të ketë sukses nëse izolohet.
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Ndaj rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona.”
Presidentja Vjosa Osmani tha se rrezikimi i aleancave cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës, ndërsa kërkoi angazhim për të ruajtur bashkëpunimin me vendet partnere.
“Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, tha ajo.
Presidentja bëri thirrje për besnikëri ndaj vlerave kushtetuese të vendit, ndërsa theksoi se Kushtetuta e Kosovës është më e përparuara për të drejtat e komuniteteve.
“Nuk do të thotë se nuk do të ketë goditje ndaj shtyllave të shtetit, por duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kushtetutën – e cila mbetet më e moderuar. Patriotizmi kushtetues na duhet më së shumti. Në kohë të trazuara për botën, besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës është ajo që duhet të na bashkojë”, shtoi ajo.
Ashtu si edhe një vit më parë, dy prej tre partive më të mëdha të opozitës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës bojkotuan fjalimin vjetor të Presidentes Vjosa Osmani.
/rtsh.al/