Policia e Kosovës bën të ditur se pas marrjes së informacioneve mbi dyshimet për armë dhe municion, kanë kryer kontrolle në fshatin Grabovc të Zveçanit ku kanë gjetur armë, municion dhe mjete shpërthyese.
“Më datën 22.11.2024, pas pranimit të një informate mbi dyshimet për armë dhe municion, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ku kanë kryer një kontroll në fshatin Grabovc të Zveçanit. Kontrolli është realizuar në një shtëpi dhe në një objekt përcjellës të saj. Gjatë kontrolli janë gjetur armë, municion dhe mjete shpërthyese", thuhet në njoftim.
Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë konfiskuar janë:
- dy mjete shpërthyese (granata dore) M-52,
- dy armë AK-47,
- një pushkë M-48 (karabinë)
- 86 copë fishekë të armës AK-47,
- 35 copë fishekë të armës M-48,
- 3 karikatorë të armës AK-47
Në lidhje me rastin është arrestuar personi (D.R) viti i lindjes 1968 i cili është shoqëruar në stacioni policor dhe i njëjti është intervistuar në prezencën avokatit mbrojtës.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje për 48 orë. Duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, Policia vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve ndaj të gjithë komunitetit pa dallim”, theksohet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/