Policia e Kosovës ka bërë të ditur ka kryer kontrolle në Zveçan ku ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia ka thënë se rasti ka të bëjë me një person që dyshohet se lidhet me rastin e Banjskës.
Policia ka thënë se gjatë kontrollit ka gjetur kavanozë prej plastike të groposur në dhe, në të cilët ka pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë.
Gjithashtu, autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë kundër më shumë se 40 personave për sulmin që është kryer në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar nga një grup serb.
Si pasojë e sulmit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ku në shkëmbim e sipër të zjarrit u vranë edhe tre serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit është ngritur, po ashtu, aktakuzë.
Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi, autoritetet e Kosovës e fajësojnë shtetin e Serbisë për këtë sulm që e konsiderojnë terrorist, mirëpo Beogradi zyrtar mohon gjithçka.
Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje disa herë Beogradit që t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulmin në Banjskë.
/rtsh.al/