RTSH 24 Live

Kosovë

A i është premtuar Serbisë veriu i Kosovës? Pedagogu: Më quani të çmendur, por...

18/11/2024

A i është premtuar Serbisë veriu i Kosovës? Pedagogu: Më quani të çmendur, por...

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe qëndrimet e disa zyrtarëve europianë e amerikanë se Krimeja mund t'i kalojë palës ruse për t'i dhënë fund konfliktit po shihen me seriozitet në Ballkan.

Nezir Kraki, pedagog i Shkencave Politike në Francë, ia ka frikën skenarit që edhe Kosova mund të bëhet pjesë e një projekti për t'i kaluar komunat veriore Serbisë.

Në një intervistë për "Jetë shqiptare" në RTSH, z. Kraki tha se disa hapa të politikës së jashtme europiane po e bindin atë për skenarin ogurzi.

"Europianët janë pozicionuar kundër çdo veprimi të Kosovës për normalizimin e veriut këto dy vitet e fundit. Europianët kanë thënë lejoni referendumin e Serbisë në veri të Kosovës, lejoni zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, lejoni postën e Serbisë në Kosovë, lejoni komunat paralele. Ata synojnë që ta kënaqin Vuçiqin, se konsiderojnë se Serbia duhet të ketë peshë më të madhe në rajon...

Duhet ta deklaroj veten të çmendur nëse një ditë dikush më bind që Miroslav Lajçak ia do të mirën Kosovës më shumë se unë, apo Josep Borrell. Të dy janë të bindur filozofikisht, politikisht se Kosova e pavarur ka qenë padrejtësi historike ndaj Serbisë. Kurrë s'janë larguar nga ai pozicion," u shpreh z. Kraki.

Sipas pedagogut, konflikti në Ukrainë rrezikon të zbresë poshtë në Ballkan nëse miratohen pretendimet territoriale dhe historike të Rusisë në Europën Lindore.

"Unë do ta konsideroja çmenduri nëse ata pranojnë që t'i lënë Rusisë edhe Krimenë, edhe që sateliti i saj në Ballkan të marrë diçka. Serbia e ka mbyllur ciklin e zisë prej humbjes së Kosovës para 25 vitesh.

Ne kemi Rusinë në Ballkan, sikur Rusia ka pretendim territorial dhe historik mbi një vend tjetër, pra në rast të një çrregullimi rajonal të rendit botëror aktual, të cilin e mban Amerika me evropianët dhe NATO-n, atëherë rreziku është tejet i madh.

Kur them që çështjet politike të Kosovës me Serbinë duhen sqaruar para se të ketë çfarëdolloj marrëdhënieje ekonomike apo sociale, njerëzit mendojnë se jam çmendur. Serbia pret një moment të volitshëm për të mos dërguar një grup terrorist paramilitar, por ushtrinë e rregullt.

Shumë diplomatë amerikanë dhe europianë, madje edhe shefja e kundërzbulimit amerikan e emëruar nga Donald Trump, janë të idesë se minimalisht Krimeja duhet t'i takojë Rusisë. Nëse amerikanët dhe europianët duan të gjejnë një modus operandi që të rivendoset nën kontroll Rusia duke ia dhënë Krimenë atëherë tani që e kemi rrethuar Rusinë me NATO-n deri në Finlandë, gjeografikisht, në këtë pako duhet të ketë lexim makro dhe ta fusin Ballkanin si tërësi në aleancat BE–NATO dhe t'i pamundësojnë apetite të tjera territoriale përmbi pretendime historike, që mund të dalin, sepse precedenti do të ishte tragjik," deklaroi z. Kraki.

/rtsh.al/