Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar si parimor, të drejtë dhe të dobishëm qëndrimin e Kombëtares së Kosovës për të ndërprerë ndeshjen me Rumaninë pas thirrjeve “Serbia, Serbia” të premten në stadiumin e Bukureshtit ndërsa po zhvillohej një ndeshje e Ligës së Kombeve.
Të dielën Kurti është takuar me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, si dhe me futbollistët kosovarë.
"Futbolli nuk është vetëm lojë. Ai është edhe përfaqësim. Andaj edhe sot takova lojtarët tanë që na bëjnë krenar sa herë që dalin në fushë, për t'i përgëzuar për lojën e bukur e dominuese kundër Rumanisë, dhe për të shprehur solidaritetin e plotë me qëndrimin parimor, të drejtë e të dobishëm edhe për Kosovën edhe për futbollin", ka thënë Kurti.