RTSH 24 Live

Aktualitet

Vlorë- Lushnjë/ Moti i keq, pezullohet lundrimi detar, makinat 'lundrojnë' mbi ujë, disa fshatra pa energji elektrike

5 orë para

Vlorë- Lushnjë/ Moti i keq, pezullohet lundrimi detar, makinat 'lundrojnë' mbi ujë, disa fshatra pa energji elektrike
Foto aktualiteti

Moti vijon të përkeqësohet në qytetin e Vlorës. Situata është në monitorim, pasi ka frikë për reshje më dendura shiu. Gjatë orëve të mbrëmjes punonjësit e bashkisë janë vënë në gatishmëri për të shmangur situata problematike.

Për shkak të përkeqësimit të motit, vijon prej tre ditësh i pezulluar lundrimi detar. Kapiteneria e portit të Vlorës prej datës 20 nëntor ka bërë me dije zyrtarisht se ka pezulluar mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit. Kjo situatë pritet të zgjasë deri pasditen e së shtunës, ku pritet të ketë edhe përmirësim të situatës.

Fuqia e dallgëve brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë tij, shkon nga 5 deri 7 ballë. Anijet e peshkimit vijojnë të qëndrojnë në zonën e Zvërnecit, për të shmangur çdo lloj problematike që mund të krijohet nga moti i keq.

Nga kapiteneria bëhet e ditur se është pezulluar lundrimi detar për tragetin e linjës Vlorë-Brindisi edhe pse këtë të premte, sipas grafikut të përcaktuar nuk ka patur itenerar lundrimi drejt Vlorës.

Ka mungesë energjie elektrike në Llogora dhe Dukat, ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme grupet në terren janë duke punuar për kthimin e energjisë elektrike.

Moti i keq në Lushnjë, makinat ‘lundrojnë’ mbi ujë   

Moti i keq me furtunë dhe reshje të shumta shiu është regjistruar edhe në Lushnjë, ku për pasojë disa rrugë jenë tashmë nën pushtetin e ujit.

Dhjetëra automjete duket sikur lundrojnë mbi ujë. Moti i keq është shoqëruar edhe me ndërprerje të energjisë elektrike jo vetëm në disa zona rurale, por edhe brenda në qytetin e Lushnjës.

Gjirokastër, rrugët janë të kalueshme

Në territorin e Qarkut Gjirokastër, për shkak të erës dhe reshjeve të shiut, ka pasur stakime në fiderat që furnizojnë me energji elektrike njësitë administrative Luftinjë dhe Buz në Bashkinë Memaliaj. Rajoni OSHEE është në gatishmëri për rikthimin e energjisë elektrike në ato zona ku energjia mungon.

Nga strukturat vendore të Mbrojtjes Civile pranë bashkive, si dhe D. V. P e Qarkut Gjirokastër, deri tani nuk ka informacione për situata problematike. Rrugët kombëtare dhe rurale janë të kalueshme. Edhe furnizimi me ujë të pijshëm është i pa ndërprerë.

/rtsh.al/