RTSH 24 Live

Aktualitet

Reshjet e shiut, Mbrojtja Civile: Situata drejt qetësimit, kaskadat e Drinit në nivele normale, po rikthehet energjia elektrike

5 orë para

Reshjet e shiut, Mbrojtja Civile: Situata drejt qetësimit, kaskadat e Drinit në nivele normale, po rikthehet energjia elektrike

Moti i keq thuajse në të gjithë vendin me erëra të forta, reshje të dendura shiu, krijoi një seri problemesh duke filluar që nga rrugë të përmbytura, pemë të rrëzuara, dëme materiale, ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona rurale, si dhe ndalim të lundrimit detar.

Situata në këto momente duket se po kthehet drejt normalitetit. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes një njoftimi zyrtar, bëri të ditur se pas reshjeve me intensitet të lartë që prekën disa zona të vendit, situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit.

“Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik. Gjithashtu raportohet se Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim. Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki.”, njoftim Mbrojtja Civile.

Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.

“Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki”, thuhet në njoftimin zyrtar të Mbrojtjes Civile.

Vlorë- Moti i keq, pezullohet lundrimi detar

Moti vijon të përkeqësohet në qytetin e Vlorës. Situata është në monitorim, pasi ka frikë për reshje më dendura shiu. Gjatë orëve të mbrëmjes punonjësit e bashkisë janë vënë në gatishmëri për të shmangur situata problematike.

Për shkak të përkeqësimit të motit, vijon prej tre ditësh i pezulluar lundrimi detar. Kapiteneria e portit të Vlorës prej datës 20 nëntor ka bërë me dije zyrtarisht se ka pezulluar mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit. Kjo situatë pritet të zgjasë deri pasditen e së shtunës, ku pritet të ketë edhe përmirësim të situatës.

Fuqia e dallgëve brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë tij, shkon nga 5 deri 7 ballë. Anijet e peshkimit vijojnë të qëndrojnë në zonën e Zvërnecit, për të shmangur çdo lloj problematike që mund të krijohet nga moti i keq.

Nga kapiteneria bëhet e ditur se është pezulluar lundrimi detar për tragetin e linjës Vlorë-Brindisi edhe pse këtë të premte, sipas grafikut të përcaktuar nuk ka patur itenerar lundrimi drejt Vlorës.

Ka mungesë energjie elektrike në Llogora dhe Dukat, ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme grupet në terren janë duke punuar për kthimin e energjisë elektrike.

Moti i keq në Lushnjë, makinat ‘lundrojnë’ mbi ujë   

Moti i keq me furtunë dhe reshje të shumta shiu është regjistruar edhe në Lushnjë, ku për pasojë disa rrugë jenë tashmë nën pushtetin e ujit.

Dhjetëra automjete duket sikur lundrojnë mbi ujë. Moti i keq është shoqëruar edhe me ndërprerje të energjisë elektrike jo vetëm në disa zona rurale, por edhe brenda në qytetin e Lushnjës.

Gjirokastër, rrugët janë të kalueshme

Në territorin e Qarkut Gjirokastër, për shkak të erës dhe reshjeve të shiut, ka pasur stakime në fiderat që furnizojnë me energji elektrike njësitë administrative Luftinjë dhe Buz në Bashkinë Memaliaj. Rajoni OSHEE është në gatishmëri për rikthimin e energjisë elektrike në ato zona ku energjia mungon.

Nga strukturat vendore të Mbrojtjes Civile pranë bashkive, si dhe D. V. P e Qarkut Gjirokastër, deri tani nuk ka informacione për situata problematike. Rrugët kombëtare dhe rurale janë të kalueshme. Edhe furnizimi me ujë të pijshëm është i pa ndërprerë.

/rtsh.al/