RTSH 24 Live

Kosovë

Sulmi i armatosur nga grupet serbe/ Policia e Kosovës gjen armë dhe municione në manastirin e Banjskës

24/09/2023

Sulmi i armatosur nga grupet serbe/ Policia e Kosovës gjen armë dhe municione në manastirin e Banjskës

Rreth manastirit të Banjskës ku u zhvillua aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës për të neutralizuar grupet kriminale serbe ka pasur mjete ushtarake dhe sasia e armatimit që është kapur ka qenë më e madhja nga viti 2001-2002 në Kosovë.

Sipas policisë së Kosovës në manastir janë gjetur armatime të ndryshme siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme.

Armatimi përdorej dhe ishte në posedim të grupeve kriminale serbe, të cilat vranë edhe policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa tre tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës bëri të ditur se eliminoi 3 sulmues dhe arrestoi 6 të tjerë. Sipas policisë, të arrestuarit janë arrestuar për posedim të armëve, të municionit dhe të radiolidhjeve.

Në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.

Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar ndërsa ditën e sotme kanë arritur kulmin me vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës.

/rtsh.al/