Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish- kryeministrit Sali Berisha, për të shapllur si të paligjshme dhe në shkelje të Kushtetutës, të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kushtetuesja ka rrëzuar vetëm masën e ndalimit të Berishës për të dalë jashtë vendit.
Berisha ankimoi dy masat e SPAK, atë me “detyrim paraqitje”, si dhe ndalimin e tij për të dalë jashtë vendit. Sipas ankimimit, Prokuroria Speciale anashkaloi autorizimin nga Kuvendi. Por Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht vetëm ankimimin e Berishës për daljen jashtë vendit, ndërsa e konsideron si proporcionale masën “detyrim paraqitje”.
Sipas Kushtetueses, marrja e një autorizimi nga Kuvendi nga ana e Prokurorisë së Posaçme nuk ka qenë i nevojshëm, ndaj dhe nuk cenon të drejtat kushtetuese.
“Gjykata shqyrtoi në fillim kriteret e legjitimimit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi i plotësonte ato me përjashtim të pretendimit për cenimin e gjykatës se paanshme bazuar në argumentin se gjyqtarja e shkallës së parë ishte shkarkuar më parë prej kërkuesit në funksionin e tij si President i Republikës dhe njëherazi edhe kryetar i KLD-së në atë kohë. Në lidhje me këtë pretendim, gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike në dipozicion, konkretisht nuk i kishte paraqitur ato formalisht gjatë gjykimit të zakonshëm sipas rregullave proceduriale për këtë qëllim. Kërkesa për përjashtim për këtë gjyqtare ishte kërkuar për një shkak të ndryshëm nga ai i mësipërm.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë shpjegimet e kërkuesit dhe prapësimet e palëve, Gjykata me shumicë votash, vlerësoi ta shqyrtonte çështjen në drejtim të të drejtave kushtetuese për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe lirisë së lëvizjes sipas nenit 38 të Kushtetutës.
“Në përgjigje të pretendimit të kërkuesit se, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës, prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin e masave të sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, Gjykata bëri një analizë qëllimore dhe semantike të dispozitës kushtetuese në fjalë. Në kuadër të kësaj analize, Gjykata iu referua edhe materialeve të procesit legjislativ të cilat i paraprinë amendamentit kushtetues të vitit 2012 kur u miratua neni 73/2 me këtë përmbajtje që ka sot, si edhe precedentit në rastin Tahiri dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut. Gjykata interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë. Me këtë frymë, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se mbrojtja e përkohshme procedurale që neni 73/2 iu garanton deputetëve i referohet vetëm lirisë personale dhe jo lirisë së lëvizjes.”, njofton Gjykata Kushtetuese.
Gjykata ka shqyrtuar masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës.
“Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.”, njofton Kushtetuesja.
Gjykata e shqyrtoi edhe masën e sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së levizjes të garantuar nga neni 38 të Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe për pasojë kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.
“Gjykata shqyrtoi pretendimin e kërkuesit në lidhje me paanësinë e gjykatave të posaçme për shkak të parashikimeve të ligjit 95/2016 përkatësisht nenet 48-51, të cilat parashikojnë kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake të gjyqtarëve, familjarëve të tyre nga hetuesit e BKH, e cila sipas kërkuesit varet nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Gjykata me shumicë votash vendosi që pretendimi i kërkuesit është i pabazuar për arsyet e mëposhtëme:
- a) autorizimi për regjimin e kontrollit periodik është i parashikuar në Kushtetutë dhe si i tillë nuk mund të bëhet objekt i kontrollit kushtetues;
- b) Ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli pasi rezultatet e kontrollit eventual të kryer nga BKH janë objekt vlerësimi nga gjykata ne rastet e procedimit penal dhe nga KLGJ në rastet disiplinore;
- c) Ligji përmban një tërësi garancish të cilat sigurojnë pavarësin e tyre në ushtrim të funksionit për shkak të statusit të posaçëm të këtyre gjyqtarëve çka përfshin emërimin, pagën, karrieren, trajtimin e posaçëm dhe mënyrën e shkarkimit.
Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, dhe me shumicë votash vlerësoi se ai është i pabazuar pasi siç kanë arsyetuar gjykatat e zakonshme kërkuesit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë proceduriale të parashikuara nga ligji.
Më tej, Gjykata shqyrtoi secilën masë sigurimi në këndvështrim të parimit të proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit. Gjykata me shumicë votash, vlerësoi duke iu referuar arsyetimit të gjykatave të zakonshme se masa e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është propocionale në drejtim të domosdoshmërisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqesore objekt te shqyrtimit kushtetues, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj kërkuesit Sali Berisha për shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kesaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”., njofton Gjykata Kushtetuese.
Berisha: Vendim anti- kushtetues, do i drejtohem Strasburgut
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masave të sigurisë ndaj tij nga ana e GJKKO. Ai deklaroi se do ta ndjekë në vijim këtë rast, duke e çuar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Është një vendim që është i barabartë me një të një gjykate fakti.Një vendim që Gjykatën Kushtetuese e shpall jokushtetuese, antikushtetuese. Ndjehem krenar që mbrojta Kushtetutën, qëndrova kundër puçit që i bëri parlamentit një grusht horrash në organizatën kriminale të Skapit të partisë dhe gjykatësja me 5 mbiemra. Mbrojtja Kushtetutën, ndarjen e pushteteve nga një puç i ulët. Kurse Gjykata Kushtetuese, në një vendim të turpshëm, quan joproporcional, nuk bën fjalë se i merret pushteti parlamentit me vendimin ekstrakushtetuese, ekstraligjor.”, deklaron Berisha.
Sipas tij, një kapitull tjetër i turpit, i paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ulsi Manja me dokumente se Rama na njoftoi për vendimin që do merrej.
“Çështja është në Strasburg, por është e turpshme të dërgohet një vendim i tillë. Por në narkoshtet, siç e cilësoi rezoluta e 109 partive politike, nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë.
Narkoshteti ka vetëm vullnetin e narkodiktatorit dhe ky është vendimi i turpshëm që informoi sot, vendim në të cilin gjykata tregoi nivelin e saj mjeran. Shkeli Kushtetutën. Shkeli ligjin e vet. Shkeli ligj e vet si skllevër të diktatorit të narkoshtetit. Pra, është radha jonë. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese damkosi në mënyrë të përsëritur veten e vet. Njerëz pa karakter, pa moral ligjor, mercenarë. Por të gjitha këto do shkojnë në Strasburg, në gjyqin e Evropës, në gjykatën që mbron konventën evropiane të të drejtave të njeriut. Dhe ata nuk shkruajnë siç bëjnë këta këtu, që sillen si zuzarë ndaj Kushtetutës, ndaj ligjeve. Nuk shpallin antikushtetues mosmarrjen e lejes në parlament, por thonë se nuk ishte proporcion. Sigurisht këta janë gjykatës me probleme shumë madhore, por është radha jonë.’, tha Berisha.
/rtsh.al/