Partia Demokratike ka refuzuar që të jetë pjesë e konsultimeve me presidentin e vendit Bajram Begaj për caktimin e datës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se caktimi i datës së zgjedhjeve është diktuar nga Rama dhe Balla. Bardhi e cilëson procesin e konsultimeve si proces farsë, ndërsa shton se është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.
“Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i japë legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet. Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrsesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet”- shkruan Bardhi në një reagim zyrtar.
Zoti Bardhi shkoi më tej kur tha se Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit.
“Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria” shprehet në reagimin e tij Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, po ashtu shkruan me tej se me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku, sipas tij, Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme.
“Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe” shkruan kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi.
/ rtsh.al /