RTSH 24 Live

Kosovë

Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, vritet një polic, plagoset një tjetër

24/09/2023

Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, vritet një polic, plagoset një tjetër

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në veri të Kosovës në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator), ku për pasojë ka mbetur i vdekur një polic, ndërsa është plagosur një tjetër. Polici i vrarë mbante gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Policia e Kosovës bën me dije se ngjarja ka ndodhur në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur kishin bllokuar rrugën me kamionë dhe më pas kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njofton Policia.

Po ashtu, në njoftim bëhet me dije se ka mobilizim të të gjitha njësive policore në terren, pasi herë pas here ka sulme me armë zjarri nga grupe të armatosura.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”, njofton Policia.

Reagimi i kryeministrit Albin Kurti

“Një sulm terrorist” e ka konsideruar kryeministri Albin Kurti ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës. Në një postim në Facebook, Kurti akuzoi se sulmi është i organizuar me mbështetjen financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar.

Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se autorët e kësaj ngjarje do të kapen dhe do të marrin dënimin e merituar.

Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, shkruan Kurti.

Reagimi i presidentes Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar në veri të vendit, duke e konsideruar ngjarjen si agresion të Serbisë, teksa bën thirrje për mbështetje nga aleatët.

Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, thekson Presidentja.

Sipas Osmanit, Serbia po sfidon “hapur” integritetin territorial të Kosovës.

Reagimi i ambasadorit amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir

Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenir (o. Jeffrey Hovenier) i ka dënuar ashpër sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.

SHBA i dënon ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme, ndaj Policisë së Kosovës në këtë mëngjes të 24 shtatorit. Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre,” tha Hovenier.

Hovenier shprehet se e vlerëson koordinimin e vazhdueshëm në mes të Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Reagimi i kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Xhosep Borel

Shefi i BE për politikën e jashtme, Xhozef Borel (o. Josep Borrell) ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar në veri të Kosovës, duke e dënuar “në termat më të ashpër” sulmin dhe duke bërë thirrje që të ndalet menjëherë.

Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës,” theksoi Borel.

/rtsh.al/