RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Sulmi ndaj Policisë vazhdon. 30 personat e armatosur, të rrethuar nga forcat tona

24/09/2023

Kurti: Sulmi ndaj Policisë vazhdon. 30 personat e armatosur, të rrethuar nga forcat tona

Janë së paku 30 persona pjesë e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës në veri, duke i marrë jetën një efektivi dhe duke plagosur një tjetër. Kështu bëri me dije kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për mediat, nga ku theksoi se grupi i armatosur është rrethuar tashmë nga forcat e Kosovës.

Kurti u shpreh se sulmet në veri vijojnë, ndërsa i bëri thirrje autorëve që të dorëzohen. Edhe njëherë, kreu i qeverisë së Kosovës bëri përgjegjës si Beogradin zyrtar si organizator dhe financues të sulmit.

Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave policore. I ftoj të dorëzohen. Formacion me profesionistë, ushtarak në Zveçan në dhe rrotull manastirit atje. Këto automjete janë pa targa, nuk i posedojnë serbët lokalë dhe askush që është civil në republikën tonë. Këto janë dy kamionët që kanë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin”, tha Kurti.

Teksa theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë, Kurti shtoi se vrasja e policit duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave.

Sulmet e grupeve të armatosura me armë të të gjitha llojeve afër lokacionit ku është vrarë polici ynë po vazhdojnë akoma. E dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të kapen, gjykohen dhe dënohen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit, kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, u shpreh Kurti.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Ndërkohë KFOR-i ka bërë me dije se vazhdon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe se trupat e janë të pranishme në zonë, të gatshme për t'iu përgjigjur nëse kërkohet.

Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë reaguar duke dënuar ngjarjen dhe duke theksuar mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën.

 

/rtsh.al/