Presidenti Bajram Begaj uroi Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë datë të shënuar, Begaj takoi fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Begaj shpreh vlerësim për vlerat e bukurinë e gjuhës shqipe ndërsa shpreh zotim për ta çmuar dhe për t'ju dedikuar në të ardhmen.
“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare: alfabetin e gjuhës sonë të bekuar.
Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen.
Gjuha e shqiponjave do të mbijetojë", shkruan Begaj.
Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit. 22 nëntori është shpallur festë kombëtare. Ky hap u paralajmëruar nga vetë kryeministri Edi Rama, gjatë Samitit të Diasporës, që u mbajt në Tiranë.
/rtsh.al/