Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me ngjarje e regjistruar në veri të Kosovë, ku një polic humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Në një postim në Facebook, Basha i bën thirrje Serbisë që të dënojë dhe të distancohet nga ngjarja.
“I tronditur nga vrasja e punonjësit të Policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetër punonjësi ne Leposaviq. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjarët dhe kolegët e punonjësit që humbi jetën në krye të detyrës si dhe për daljen nga rreziku e shërimin e kolegut të tij të plagosur. Në këtë çast kritik të betejës kundër krimit jemi në krah të punonjësve të Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të vendit teksa punojnë për vënien e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë para ligjit. Ju bëj thirrje autoriteteve të Beogradit të dënojnë dhe të distancohen prerazi nga kjo ngjarje e rëndë dhe nga gjuha e aktet destabilizuese”, shkruan Basha.
Ngjarja ka ndodhur në Mitrovicë Veri, ku Policia e Kosovës bëri me dije se në hyrje të fshatit Bajnskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.
/rtsh.al/