Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, ku theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së infrastrukturave kritike në Evropën Juglindore për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kontinentit.
Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Vengu shprehu besimin se, nëpërmjet këmbënguljes dhe përpjekjeve të përbashkëta me aleatët si Italia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania, do të rritet ndërgjegjësimi i BE dhe NATO-s për rëndësinë strategjike të Evropës Juglindore në projektin e gjerë evropian.
“Konferenca e Sigurisë së Mynihut. Ndërlidhja e infrastrukturave kritike në Evropën Juglindore kontribuon për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës.
I nderuar që mora pjesë dhe bashkëbisedova me kolegët e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim mbi mënyrën se si Korridori VIII, mbështet një Europë të sigurt dhe të fortë.
Ndava qëndrimin e qeverisë shqiptare se ky korridor përbën një prioritet të qartë gjeopolitik dhe politik, me efekte të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik dhe sigurinë rajonale.
Prandaj, theksova rëndësinë që përpjekjet financiare të Shqipërisë🇦🇱 të shoqërohen me veprime konkrete nga BE🇪🇺 dhe NATO, për të hapur instrumentet e zhvillimit dhe për të investuar në tërësinë e projekteve infrastrukturore përgjatë korridorit, nga pika hyrëse në kompleksin portual të Porto Romanos, deri në Detin e Zi, në Varna dhe Burgas.
Jam i bindur se këmbëngulja jonë, në bashkërendim me aleatët tanë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Rumaninë, do të shtojë ndërgjegjësimin e BE dhe NATO-s për rëndësinë strategjike të Europës Juglindore në projektin evropian”, shkruan Vengu.
/rtsh.al/