RTSH 24 Live

Aktualitet

Policia aksion në Vlorë, arrestohet një person me rrezikshmëri të lartë. Zbulohen edhe dy “shtëpi bari”

19/02/2025

Policia aksion në Vlorë, arrestohet një person me rrezikshmëri të lartë. Zbulohen edhe dy “shtëpi bari”

Policia e Vlorës ka dhënë detaje në lidhje me dy operacione të realizuar në këtë qytet gjatë ditës së sotme.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela dhe drejtuesit e policisë vendorë të Vlorës, thanë se gjatë operacionit të parë u vu në pranga një 38-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili qarkullonte me armë zjarri.

Sipas njoftimit të bërë publik, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, u bë e mundur që në lagjen “Pavarësia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.

Gjatë momentin kur ka pikasur policinë, personi ka tentuar të largohej, madje i ka drejtuar edhe armën efektivëve, por nuk ka mundur të qëllojë pasi është neutralizuar.

Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak”, u shpreh Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.

Ndërsa në operacionin e dytë, u zbuluan dy ambiente ku kultivohej lëndë narkotike me anë të llambave.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura”, tha Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Eldion Çela.

Më tej kreu i Policisë së Vlorës nënvisoi se, “po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 24 vjeç, lindur në “Përlat”, Mirditë, dhe banues në Lezhë.

“Ky shtetas dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre. Në vijim të veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi I. K., 24 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira, Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Gjatë operacionit, në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga shtetasi E. L., 35 vjeç banues në Vlorë, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, poseduesi i lëndës narkotike u arrestua në flagrancë”- shtoi ndër të tjera drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela .

 

/rtsh.al/