Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Gjermani dhe Britani të Madhe dhe priten të ekstradohen në Shqipëri, ku janë shpallur në kërkim për përfshirje në aktivitetet e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në Gjermani është arrestuar 21-vjeçari D.L., i cili akuzohet nga SPAK si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e narkotikëve. Për të, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” që në vitin 2021, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Në të njëjtën kohë, në Mbretërinë e Bashkuar është kapur 25-vjeçari B.Ç., për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në vitin 2022. Ai akuzohet për “Kultivimin e bimëve narkotike” dhe “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet përkatëse në Gjermani dhe Britani, me qëllim finalizimin e procedurave të ekstradimit të këtyre dy individëve në Shqipëri, ku ata do të përballen me akuzat për veprat e kryera.
/rtsh.al/