RTSH 24 Live

Aktualitet

Rikonstruktohet Spitali Pediatrik, Rama: 2025, buxheti më i lartë për shëndetësinë deri në 1 miliard euro

18 orë para

Rikonstruktohet Spitali Pediatrik, Rama: 2025, buxheti më i lartë për shëndetësinë deri në 1 miliard euro

Infrastruktura e re e Spitalit Pediatrik të Specialiteteve në QSUNT mundëson kushte të standardeve europiane për trajtimin mjekësor të të vegjëlve, ku për herë të parë janë parashikuar ambiente dedikuar shkollës për të asistuar ata fëmijë që kalojnë një kohë më të gjatë në këtë spital.

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish si dhe 17 poltrone për pacientët e terapisë ditore, ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e reja të spitalit, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu, ku u takua me stafin e mjekëve dhe infermierëve, si dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij.

Rama theksoi rëndësinë e investimeve të mëdha në sektorin e shëndetësisë gjatë një deklarate të fundit, duke nënvizuar që ky është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, me 1 miliard euro, një shifër që para disa viteve do të dukej e paimagjinueshme. Rama theksoi se këtë vit do të realizohen transformime të mëdha në struktura spitalore, duke përfshirë edhe përmirësimin e shërbimeve pediatrike dhe hapjen e një shkolle të re pranë Spitalit Pediatrik, që do t’u mundësojë fëmijëve të mos mbeten pas me mësimet gjatë qëndrimit në spital.

“Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës, por duke ndaluar këtu, më vjen shumë mirë që në ndërkohë jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, i cili është një shërbim i ri, falë një bashkëpunimi me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve, miq izraelitë që janë ofruar të sjellin këtu këtë shërbim që është shkolla pranë Pediatrisë dhe që do t’u japë mundësinë fëmijëve që qëndrojnë në Spitalin Pediatrik, që njëkohësisht të marrin dhe mësim dhe të mos mbeten mbrapa me shkollë, por natyrisht me një metodë dhe me një program që i përshtatet edhe gjendjes së tyre jo optimale shëndetësore”, tha Rama.

Rama gjithashtu foli për implementimin e autonomisë spitalore, ku menaxhimi i spitaleve do të kalojë në duar të komunitetit spitalor, duke siguruar menaxhim më profesional dhe shpërblime më të drejta për stafin mjekësor.

“Kanë ardhur menaxherët nga Turqia, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë në Spitalin Memorial dhe pastaj do të vendosen në spitalet që tanimë kanë kartën e autonomisë spitalore, përfshirë dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çka do të na japë një ndihmë shumë të madhe në atë që vërtetë na mungon ose që është vërtetë pika më dobët sot në sistemin tonë spitalor, që është menaxhimi profesional, përtej administrimit që bëhet në pavijone nga shefat e pavijoneve. Këtu flasim për menaxhimin profesional të një sistemi të ri, që bazohet tek autonomia spitalore që do të thotë që gjithmonë e më shumë fonde do të spostohen nga duart e qeverisë dhe ministrisë në duart e vetë komuniteteve spitalore, që do të thotë që, përveç administrimit rutinë të pavijoneve duhet të ndërtohet një qeverisje e spitaleve në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë që me të gjitha burimet financiare dhe me burimet njerëzore të bëhet më e mira për pacientët, të bëhet më e mira për mjekët dhe të krijohen kushtet që të gjithë të jenë të shpërblyer sipas kontributit dhe jo thjesht me atë pagën tavan e në ndërkohë, të gjithë ata, që vijnë në dyert e shërbimit publik të jenë të mirëshërbyer në çdo nivel”, tha Rama.

Godina e re përbëhet nga 5 kate, 1 kat nën tokë dhe 4 kate mbi tokë me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi rreth 8200 m². Pjesë e infrastrukturës së re janë: Shërbimi i Onkohematologjisё, ku janë thelluar dhe përmirësuar më tej metodat diagnostike dhe mjekuese; Shёrbimi i Nefrologjisë dhe Dializës Pediatrike, Shërbimi i Laboratorit tё Gjenetikës Klinike, një shërbim unikal pёr tё gjithë Shqipërinë, ku trajtohen pacientë pediatrik dhe adult (ciklik) me sëmundje gjenetike tё lindura; Shërbimi i Konsultave Pediatrike për specialitetet; Njësia e rehabilitimit fizik (fizioterapia) pёr pacientёt pediatrik; Farmacia për Pediatrinë, etj

/rtsh.al/