"Nga izolimi te integrimi në BE" - është ky studimi që hedh dritë mbi narrativën mediatike në Shqipëri sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, vitet e gjata të izolimit dhe ato të tranzicionit.
Ndërkohë mbetet detyrë e gazetarëve, kryesisht të televizioneve, si media më e ndjekur në Shqipëri, për informimin në lidhje me integrimin në BE, për ta sjellë këtë narrativë sa më thjeshtë dhe qartë për audiencën dhe opinion publik.
Ishin gjetjet kryesore që solli studimi i udhëhequr nga pedagogët Belina Budini, Erisela Marko dhe Dritan Idrizi, i ardhur në formën e një botimi të plotë.
Drejtuesja e Autoritetit të Medieve Audiovizive, Armela Krasniqi, e quajti studimin një vepër që iu hap rrugën studimeve të tjera për mediet në kompleksitetin e tyre, përtej atyre audiovizive.
"Duke mirëpritur këtë kontribut besoj që institucioni ynë do ta lexojë me vëmendje, jo vetëm titullari, por i gjithë institucioni, për të nxjerrë piketat që ky studim ka në vetvete," u shpreh znj. Krasniqi.
"Unë do ta konsideroja një lloj botimi seminal, pra, sa hedhim farën për hulumtime, për zhvillime, pa dyshim edhe për trajtime e shtjellime shumë më të zgjeruara," tha studiuesja, znj. Budini.
Ky studim sjell disa rekomandime konkrete për secilin nga autoritetet e përfshira në projekt, të cilat vijnë të shtjelluara dhe të argumentuara në kapitujt e librit.
Gazetare: Xhilda Kondi