Projektligji “Paketa e Maleve” mori dritën e gjelbër nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, pasi shqyrtoi në seancë publike kërkesën ankimore të depozituar nga Kuvendi i Shqipërisë me objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili disa ditë më parë vendosi që Kuvendi të mos e miratonte në seancë plenare këtë projektligj.
Kryekomisioneri Celibashi ishte shprehur se ligjet prekin politika të rëndësishme fiskale, pasi ndryshimet e propozuara do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar.
Sipas Celibashit, "çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtonte parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve dhe mund të krijonin perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale".
Por Kuvendi argumentoi se nismat nuk krijojnë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët, ndërkohë që “Paketa e maleve” është nismë e shpallur prej kohësh.
Sipas njoftimit për shtyp të KQZ-së, në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash, pranoi pjesërisht ankimimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe vendosi shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilën i rekomandohet Kuvendit të Shqipërisë të mos përfshijë për shqyrtim në seancë plenare projektligjin “Për paketën e maleve” dhe Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
/rtsh.al/