Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se bujqësia shqiptare ka kaluar në një stad të ri zhvillimi, me sfida e ambicie të reja, ku fokusi i qeverisë, sipas saj, “është i qartë gjithmonë, pranë atyre që punojnë, prodhojnë e ndihmojnë ekonominë e vendit”.
Gjatë një serie takimesh në Lushnjë, Krutje e Sipërme, Balluku bëri të ditur se gjatë një ndalese tek vëllezërit Shani, erdhën edhe shumë fermerë të tjerë që jetën e tyre e kanë lidhur me bujqësinë.
“Kanë zgjedhur të flasin me punë ndaj prodhimet e dala nga duart e tyre i gjen kudo në tregjet evropiane. Sot bujqësia shqiptare ka kaluar në një stad të ri zhvillimi. Me sfida e ambicie të reja. Fokusi ynë është i qartë gjithmonë pranë atyre që punojnë, prodhojnë e ndihmojnë ekonominë e vendit.”, shkruan Balluku.
Zëvendëskryeministrja ndau imazhe edhe nga një qendër grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Myzeqe, ku shiheshin arka të mbushura me lakra që po ambalazhoheshin për eksport.
“Prodhimet e duarartëve të Myzeqesë shkojnë në çdo cep të Evropës”, shkruan Balluku.
Prodhimet bujqësore po ndjekin trendin e rritjes pozitive të eksportit, por produktet që po kryesojnë në këtë sezon janë perimet dimërore.
Myzeqeja është një ndër rajonet kryesore të vendit me potencial të lartë për prodhimin bujqësor. Sipas të dhënave zyrtare, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit duke rritur cilësinë e produkteve që sot eksportohen në mbi 85 tregje ndërkombëtare.
/rtsh.al/