Deputetët Petrit Vasili, Erisa Xhixho dhe anëtarët e Partisë së Lirisë Edmond Haxhinasto dhe Tedi Blushi kanë pretenduar se nuk janë lejuar ditën e sotme të takojnë kreun e partisë së tyre, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tyre, ata janë lënë të pritje 1 orë por nuk janë lejuar që të takojnë lidershipin e partisë.
Pas kësaj situate, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, denoncoi këtë rast duke e cilësuar si shkelje të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Ai ka akuzuar kryeministrin Rama për pengimin takimit dhe se nuk kishin marrë asnjë shpjegim ligjor.
“Denoncojmë një rast të përsëritur të shkeljes flagrante të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga narkoregjimi i Edi Ramës dhe institucionet e tij që edhe sot dëshmuan një paligjshmëri, dëshmuan një vullnet të përsëritur për të mos respektuar as ligjin, as Kushtetutën dhe as Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke ju mohuar dy deputetëve të Partisë së Lirisë, të drejtën e tyre për tu takuar sot me Presidentin e Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit penal, ku ndodhet i izoluar në mënyrë ekstreme, pa fakte dhe pa prova penale nga narkoregjimi i Edi Ramës”, tha Blushi.
Blushi akuzoi gjithashtu qeverinë për dy standarde, duke e krahasuar trajtimin e Presidentit të Partisë së Lirisë me atë të Erjon Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
“Denoncojmë shkeljen flagrante të ligjit si dhe përdorimin e dy standardeve që nga një anë e ka kthyer burgun e Durrësit në një seli të dytë të Partisë Socialiste apo të “ Rilindjes” dhe në anën tjetër Presidentit të Partisë së Lirisë nuk i lejohet të takohet dhe i mohohet e drejta për t’u takuar me deputetët e Partisë së Lirisë”, tha ai.
/rtsh.al/